Ibrahimovic: Te Bologna do shkoja falas për Mihajloviç, ju tregoj sekretin e formës

Trajner i skuadrës së Bolognës, Sinisa Mihajloviç ka publikuar librin e tij autobiografik “Ndeshja e jetës”, ndërsa në promovimin online të tij kanë marrë pjesë emra të ndryshëm nga bota e futbollit. Një ndër ta ishte padyshim Zlatan Ibrahimoviç, që foli me konsideratë të lartë për ish mbrojtësin serb dhe zbuloi disa prapaskena merkatoje të një viti më parë.

“Sinisa ka bërë gjithçka për të më marrë te Bologna, në një kohë kur unë isha në dyshim nëse do të vazhdoja apo do të tërhiqesha. I thosha se mosha më peshon në këmbë, por vazhdimisht më përsëriste se unë thjesht duhej të rrija para në sulm dhe të prisja. I dhashë fjalën se nëse do të shkoja te Bologna, do ta bëja vetëm për të dhe do ta bëja falas, por më pas erdhi oferta e Milanit dhe zgjodha rikthimin te kuqezinjtë”, tha suedezi.

Në promovimin e librit të Mihajlovic, Ibra zbuloi sekretin e formës së mirë dhe konfirmoi se nuk do të gjuajë më penallti.

“Mjaft më me penalltitë, pasi e deklarova që para dy javësh se nuk do t’i gjuaj më unë. Do të lë Kessie t’i ekzekutojë. Nuk ka ndonjë sekret për formën e mirë, por tani jam 39 vjeç dhe me shumë më tepër eksperiencë. Nuk shpenzoj energji kot dhe lëviz vetëm atëherë kur duhet. Di të zgjedh më mirë veprimin që duhet të bëj në fushë dhe kjo më ndihmon”, u shpreh Ibra.

SHKARKO APP