Icardi do të largohet nga PSG, fajin e ka sërish Wanda Nara

Aventura e Mauro Icardi te PSG duket se ka marrë fund, falë një skenari që nuk duket se e sheh argjentinasin në qendër të projektit parizien. Megjithëse transalpinët kanë mundësinë e blerjes së bomberit të Albiceleste për 70 milionë euro nga Interi, duket se nuk do ta bëjnë këtë.

Deri më tani, në radhët e PSG, argjentinasi ka shënuar 20 gola në 31 ndeshje, por nga mesi i janarit e këtej performanca e tij ka rënë në mënyrë dramatike: vetëm 3 aktivizime si titullar. Drejtuesve të klubit francez nuk iu kanë pëlqyer qëndrime të caktuara të sulmuesit. Siç është raportuar nga “Sportweek”, në fakt, festa e ditëlindjes së Icardi, e organizuar nga partnerja dhe menaxherja e tij, Wanda Nara, menjëherë pas humbjes së parë në Dortmund, nuk është kapërdirë dot në kryeqytetin francez.

Fotografitë dhe videot e festës së shfrenuar përfunduan në rrjetet sociale, duke shkaktuar polemika dhe pakënaqësi. Prandaj, kjo e ka shtyrë PSG që të vlerësojë profile të reja për merkaton e verës, duke i dhënë fund “martesës” së përkohshme me ish-kapitenin e Interit.

Opsioni më i mundshëm është një transferim te Juventusi në Itali, teksa urën për këtë lëvizje mund ta bëjë PSG, e cila mund të përfitojë për të afruar Pjanic.

SHKARKO APP