Ideja e çmendur që vjen nga Spanja: Të klonojmë Lionel Messi
Teknikë, klas dhe gola spektakolarë. Lionel Messi dhuron magji sa herë prek topin, ndërsa rëndom mes tifozëve të futbollit thuhet se lojtarë si ai lindin njëherë në shekull. Por kjo nuk është e sigurt dhe në Spanjë kanë nisur të kenë frikë se “Pleshti” nuk do të ketë një pasardhës të denjë kur të varë këpucët në gozhdë. Për këtë arsye, “Cadena Ser” i është drejtuar shkencës me një ide sa të veçantë aq edhe të pamundur:
Pse të mos e klonojmë Lionel Mesin?
Për të marrë më shumë informacion dhe për të kuptuar se sa e realizueshme është një gjë e tillë, media iberike i është drejtuar Arcadi Navarro, i cili është përgjegjësi i Arkivit Europian të Gjenetikës. “Me teknikat e kohës, po Mesi mund të klonohet. Do të ishte e mundur të krijonim një qënie njerëzore shumë të ngjashëm me Messi. Do të dukej sikur të dy të kishin lindur në të njëjtën kohë, por njëri ka qëndruar i ngrirë për 20 apo 30 vjet”, ka thënë specialisti i gjenetikës.