Ilir Daja te Partizani? Klubi i kuq zbulon si është situata

3 fitoret radhazi kanë rikthyer qetësinë te Partizani që tashmë ka shanse të mira për të siguruar kualifikimin në Europa League për sezonin e ardhshëm.  Gjithsesi lajmet në media nuk kanë munguar për largimin e trajnerit Adolfo Sormani dhe emërimin në stol të Ilir Dajës.

Por vetë klubi i kuq ka reaguar ndaj këtyre aludimeve të mediave duke bërë me dije se trajneri italian dhe stafi i tij kanë besimin maksimal të klubit dhe Sormani mund të vazhdojë i qetë punën në krye të ekipit.

Komunikata për shtyp e Partizanit:

Nisur nga lajmi që prej ditësh po qarkullon në media dhe portale të ndryshme në vend, FK Partizani ka detyrimin moral përkundrejt opinonit sportiv, por sidomos ndaj punonjësve dhe tifozerisë së skuadrës për të përgënjeshtruar lajmin se klubi është në kontakte me trajnerë të tjerë për të marrë drejtimin e ekipit.

FK Partizani dëshiron të informojë, sqarojë mediat dhe sportdashësit, se stafi teknik gëzon besimin dhe mbështetjen e drejtuesve të klubit për të punuar të qetë në arritjen e objektivit të mbetur në këtë sezon jo normal si ky i këtij viti, i kondicioniuar thellësisht nga situata e krijuar prej pandemisë. Saktësojmë se këto lajme nuk bëjnë gjë tjetër përveçse tentojnë të shpërqendrojnë ekipin nga detyra për ta mbyllur këtë fund kampionati me përpjekjet maksimale.

E vlerësojmë dhe respektojmë trajnerin Ilir Daja për atë çka arritur në drejtimin e mjaft ekipeve në kampionatin tonë, ashtu si respektojmë dhe klubin e Skënderbeut për kampionatin dinjitoz që po zhvillon, por ky reagim i yni vjen për të respektuar garën dhe mos prishur kurrsesi ekuilibrat në këtë fund sezoni. Ndaj kërkojmë nga të gjitha mediat që të jenë korrekte në pasqyrimin e informacioneve ashtu sikurse Partizani mbetet gjithmonë bashkëpunues me të gjithë dhe kërkon të trajtohet në të njëjtën mënyrë.

SHKARKO APP