Inaugurimi i stadiumit të ri, Gjici: Hyrja është falas për tifozët, do të jetë edhe Rama!
Kukësi do të përurojë stadiumin e ri “Kukësi Arena” të shtunën, duke u rikthyer në shtëpi pas 3 vitesh ku kanë luajtur në impiante të ndryshme. Verilindorët kërkojnë të rikthehen te fitoja pas disa javësh, teksa do kërkojnë që të mposhtin kurbinasit me ndihmën e tifozëve të tyre.
Presidenti i nderit, Safet Gjici ka folur për stadiumin Kukësit, duke e cilësuar si një sfidë faktin që skuadra e tij është dashur të përshtatej për të luajtur në vende të ndryshme.
“Ka qenë shumë e vështirë që ndeshjet t’i organizonim larg shtëpisë. Nuk ka qenë e lehtë gjithashtu ta mbanim skuadrën në nivele të larta. Kukësi ka qenë pjesëmarrës rregullisht në evenimentet ndërkombëtare.
Kemi mbajtur fjalën për ta finalizuar si projekt edhe pse kemi kaluar pengesa si pandemia dhe tërmeti. Ky stadium është ndërtuar për futbollin kuksian dhe qytetin e Kukësit. Shtëpia e qytetit të Kukësit tashmë është me standarde të ngjashme me ato të Elbasanit apo Shkodrës.
Ju bëj thirrje kuksianëve që ditën e shtunë në 23 të jenë të pranishëm në stadium dhe ta shikojnë këtë impiant me standarde. Duhet ta ruajmë këtë stadium.
Kryeministri Rama do të jetë në inaugurim, sepse ai është organizatori i këtij projekti. Kemi dhe kërkesa të tjera, sepse siç e dini dhe ju mbi 47 vite nuk ka pasur investime madhore në qytetin e Kukësit. Kryeministri patjetër prezent. Edhe presidenti do të jetë, sepse qeveria dhe Federata kanë bërë të mundur që të ngrihet ky stadium. Unë dua t’i falënderojë të gjithë që e kanë bërë të mundur këtë punë.
Uroj që Kukësi ta fillojë me këmbë të mbarë në këtë stadium. E falënderoj jashtë mase Kryeministrin Rama dhe Qeverinë Rama për këtë investim që ka bërë. Shpresoj të ruajmë vendin e tretë, pse jo edhe vendin e dytë. Gjithsesi duhet të vlerësojmë ndeshjet. Ndeshja e radhës me Laçin mendoj se duhet ta fitojmë, që të tregojmë se Kukësi e meriton Europën.
”, ka theksuar Gjici.
Drejtuesit e skuadrës së Kukësit kanë vendosur që në inaugurimin e “Kukës Arena” hyrja në stadium të jetë falas.
KOHA JONË SONDAZH

