Infantino: Botërori 2026, më i madhi i të gjitha kohërave me ndihmën e Inteligjencës Artificiale
Kupa e Botës 2026 do të shënojë një integrim të thellë të Inteligjencës Artificiale, veçanërisht përmes avatarëve 3D të krijuar për të ndihmuar arbitrat dhe për të përmirësuar përvojën e transmetimit. Kjo risi teknologjike, fryt i partneritetit mes FIFA-s dhe kompanisë Lenovo, pritet të transformojë mënyrën e organizimit dhe përjetimit të ngjarjes madhore sportive.
Inovacioni më i rëndësishëm për Botërorin e vitit 2026 do të jetë përfshirja e Avatarëve Digjitalë në teknologjinë e arbitrimit dhe në transmetimin e ndeshjeve. Këta avatarë do të animohen në 3D, duke ofruar pamje të detajuara sidomos gjatë përsëritjeve të episodeve të pozicionit jashtë loje, duke siguruar qartësi më të madhe për vendimet.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, theksoi se Botërori 2026 do të jetë “spektakli më i madh i të gjitha kohërave në planetin Tokë”. Ai parashikoi 7 milionë pjesëmarrës në 104 ndeshje dhe miliarda shikues në mbarë botën. Infantino theksoi se FIFA dhe Lenovo po përshtatin plotësisht teknologjitë digjitale dhe “Football AI” për të mbështetur skuadrat dhe zyrtarët e ndeshjeve, duke ofruar njëkohësisht një eksperiencë të jashtëzakonshme për tifozët globalisht.
Përmes “Football AI”, synohet demokratizimi i aksesit në të dhëna, duke ofruar analizën më të plotë futbollistike për të gjitha skuadrat dhe së shpejti edhe për tifozët. Gjenerata e re e “Referee View” do të shfaqë imazhe të krijuara nga AI, duke ofruar një përvojë vizuale unike, sikur shikuesit të jenë në qendër të fushës me lojtarët. Avatarët 3D, të aktivizuar nga Inteligjenca Artificiale, do të garantojnë identifikimin dhe gjurmimin e saktë të lojtarëve, duke shënuar një progres të madh në teknologjinë gjysmë-autonome të pozicionit jashtë loje, e cila do të sigurojë imazhe me cilësi të lartë, vendime më të shpejta dhe një kuptim të qartë për të gjithë.
KOHA JONË SONDAZH

