Infantino: Italia do ia dalë, futbolli pas koronavirusit do të jetë ndryshe
Presidenti i Fifa-s, Gianni Infantino, në një intervistë të dhënë së fundmi për agjencinë Ansa dhimbjen për situatën e vështirë që po kalon Italia.
“Zemra ime italiane është në lot nga imazhet e vuajtjes së tmerrshme që përshkruan zia që po godet familjet e vendit tonë. Italia do t’ia dalë sepse në momentet më të vështira di të japë më të mirën. Unë jam me të gjithë ju, miqtë e mi të dashur. Duhet të mendojmë t’i sjellim lehtësim atyre që vuajnë, duhet të ndjekim rregullat. Futbolli që do të vijë pas virusit do të jetë krejt ndryshe, më social e solidar.
Do të kthehet koha e futbollit e kur të kthehet do të festojmë së bashku daljen nga një makth. Sot duhet të ndjekim rregullat që kanë vendosur autoritetet shkencore për të frenuar e mundur këtë virus të mallkuar. I jam pranë heronjve modernë që janë infermierët e mjekët. Përgëzoj ata që kanë bërë gjeste solidariteti për të blerë maska e ventilatorë.
Futbolli që do të vijë pas virusit do të jetë krejtësisht ndryshe, përfshirës, më social e solidar, i lidhur me territorin e në të njëjtën kohë më global e më mikpritës. Do të ketë një gjë të përbashkët: gëzimin për golin e përqafimin për të treguar këtë emocion. Do të jemi më të mirë, më njerëzor e më të kujdesshëm për vlerat e vërteta”, deklaroi Infantino.