Infantino përfundon nën hetim pasi i dha “Çmimin për Paqen” presidentit Trump
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, pritet t’i përgjigjet akuzave të Komitetit Etik pas dorëzimit të “Çmimit për Paqen” ndaj Donald Trump, një moment që ndodhi pak para ceremonisë së shortit për Kupën e Botës 2026. Sipas FairSquare, një organizatë që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ky veprim shkel rregulloren e FIFA-s për neutralitet politik.
Sipas BBC-së, organizata pretendon se ekzistojnë “të paktën katër shkelje të qarta të rregullave të neutralitetit të FIFA-s”, duke theksuar se drejtuesit e institucionit ndalohen të shfaqin publikisht mbështetje për një lider të zgjedhur politikisht.
Afërsia mes Infantinos dhe Trump ka qenë prej kohësh objekt kritikash, ndërsa tashmë të gjithë drejtuesit e futbollit botëror gjenden nën presion, pak muaj para fillimit të turneut më të madh të sportit.
Çështja u ndez pas momentit kur Infantino i dorëzoi Trump-it çmimin në skenën e Kennedy Center në Washington DC, duke e vlerësuar “për veprime të jashtëzakonshme për paqen dhe për bashkimin e njerëzve në mbarë botën”. Një gjest që, sipas kritikëve, nuk kishte vend në një kontekst ku sporti duhej të ishte i vetmi protagonist.
FairSquare e akuzon presidentin e FIFA-s për një sërë veprimesh të tjera që, sipas organizatës, përbëjnë mbështetje politike ndaj Trump dhe bien ndesh me parimin e neutralitetit. Në këtë kuadër, grupi ka dërguar një letër zyrtare te Komiteti Etik, i cili ka hapur hetim për të përcaktuar nëse janë kryer shkelje.
KOHA JONË SONDAZH

