Infantino: Trump e meritoi çmimin, po shqyrtojmë rikthimin e Rusisë në garat ndërkombëtare
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka dalë hapur në mbrojtje të vendimit për t’i dhënë presidentit të SHBA-së, Donald Trump, një çmim për paqen, duke e cilësuar atë si një vlerësim të merituar. Kreu i FIFA-s hodhi poshtë gjithashtu thirrjet për bojkot të Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Infantino u kritikua pas ceremonisë së shortit të Botërorit 2026, të mbajtur në dhjetor në Uashington, ku çmimi iu dorëzua Trump në emër të institucionit.
“Objektivisht, Trump e meriton. Çfarëdo që mund të bëjmë për të kontribuar për paqen në botë, duhet ta bëjmë”, deklaroi Infantino për Sky Neës, duke shtuar se prej kohësh ekzistonte ideja që të shpërblehej “kush bën diçka” në funksion të paqes.
Në të njëjtën intervistë, ai u shpreh kundër çdo ideje për bojkot të turneut, pavarësisht polemikave të lidhura me politikat e administratës Trump.
“Në botën tonë të ndarë kemi nevojë për raste që njerëzit të bashkohen”, theksoi Infantino, duke e paraqitur Botërorin si një ngjarje që duhet të shërbejë për unitet dhe jo për përçarje.
Në mënyrë të papritur, kreu i FIFA-s foli edhe për rikthimin e Rusisë në garat ndërkombëtare, duke i bërë thirrje FIFA-s dhe UEFA-s të rishqyrtojnë vendimin për përjashtimin e saj.
“FIFA dhe UEFA duhet të shqyrtojnë rikthimin e Rusisë në garat ndërkombëtare. Kjo veto nuk ka arritur asgjë, vetëm ka krijuar më shumë frustrim dhe urrejtje”, përfundoi ai.
KOHA JONË SONDAZH

