Injorohet Partizani dhe Tirana, Dritan Smajli: Kukësi rivalizon vetëm me Skënderbeun
Kalendari i javës së 24ë-t dhe i javës së 25-të në Kategorisë Superiore e favorizon ndjeshëm Kukësin. Pas transfertës me Apoloninë, Kukësi pret Teutën e Durrësit në “Zeqir Ymeri” dhe nisur nga fakti tjetër që Tirana dhe Partizani do të luajnë në derbi më 12 mars, ndërsa Skënderbeu ka një përballje me të vështirë në Durrës, verilindorët kanë nisur të mendojnë më herët për shkëputjen e madhe drejt trofeut. Kukësi kryeson aktualisht, një pikë para Tiranës dhe tre pikë para Skënderbeut. Partizani ka katër pikë më pak, por mbrojtësi lezhjan i përjashton nga gara për titull dy ekipet kryeqytetase, dhe mendon se ashtu si në dy sezonet e fundit do të garojnë për titull Kukësi e Skënderbeu, me një ndryshim që në fund skuadra e tij do të mbyllë garën para tyre. Dritan Smajli beson se pas dy ndeshjeve të radhës verilindorët do të krijojnë një shkëputje të ndjeshme me rivalët, për të shkuar më pas në avantazh psikologjik në sfidën direkte, ndaj Tiranës. – “Të them të drejtën jam me kalendar në dorë, sepse në këtë fazë të kampionatit çdo ndeshje është vendimtare. Duhet të fitojmë këto dy ndeshje që të krijojmë një shkëputje me rivalët.” Apolonia, sipas mbrojtësit lezhjan, edhe pse renditet e fundit në klasifikimin e Superiores, duhet respektuar, pasi luan futboll të pastër dhe nuk është pjesë e aleancave. – “Ne kemi respekt për Apoloninë, sepse luan futboll të bukur për interesa të saj. E vlerësojmë maksimalisht këtë kundërshtar, por synimi ynë dihet, është vetëm fitorja.” Transferta e vështirë e Korçës, ku Kukësi arriti të merrte me shumë vështirësi, sipas Smajlit, tregoi se Skënderbeu mbetet rivali më i fortë për titullin kampion. – “Ne kemi tre rivalë për titullin, por të them të drejtën Skënderbeu është më i forti. E kam thënë edhe më parë vetëm kur të krijojmë një shkëputje prej 6 pikësh me korçarët mund të themi se titulli do të shkojë në Kukës.” Mbrojtësi 30-vjeçari përshëndet vendimin e dy klubeve të kryeqytetit për shtyrjen e derbit më 12 mars. Kjo supersfidë e futbollit shqiptar, nga ana e lojtarit të Kukësit, meriton të luhet në “Qemal Stafa” për hir të tifozerisë së dy ekipeve.
KOHA JONË SONDAZH

