Interi fiton ndaj Lazios me super Lukakun dhe merr kreun e Seria A (VIDEO)

Interi është kryesuesi më i ri i Seria A. Skuadra e Antonio Conte ka përfituar nga humbja e Milanit, duke marrë një fitore 3-1 ndaj Lazios në “San Siro”.

Zikaltrit përfituan nga gabimet e shumta të mbrojtjes së bardhekaltërve. Në minutën e 22-të, Hoedt shkakton faull në zonë ndaj Lautaros. Arbitri akordoi penallti, që do të kthehej në gol nga Lukaku. Sulmuesi belg arriti që të realizonte edhe në fundin e pjesës së parë.

Në fillimin e së dytës Lazio luan më mirë dhe arrin të rihapë ndeshjen në minutën e 61-të. Escalante devijon një goditje të Milinkovic-Savic që përfundon në rrjetë.

Gëzimi i ekipit të Inzaghit zgjati vetëm 3 minuta, pasi me një kundërsulm të shpejt, Lukaku nxjerr me portën e boshatisur Lautaron, që e ka të thjeshtë për të shënuar. Interi tashmë ngjitet në kuotën e 50 pikëve, 1 më shumë se Milani. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP