Interi me 5 yje, e mbyll me “manita” kampionatin dhe nis festën (VIDEO)

Interi dhuron spektakël në 90 minutat e fundit të sezonit 2020-21 në Seria A, duke e mbyllur në vendin e parë me 91 pikë. Skuadra e Antonio Contes është treguar e pamëshirshme ndaj Udineses duke fituar me lehtësi 5-1, edhe pse nuk hodhi në fushë formacionin më të mirë që nga starti.

Dueli nisi menjëherë me gol për ekipin nga Milano. Në minutën e 8-të, falë një iniciative personale të Ashley Young, futbollisti anglez kombinon me Lautaron në hyrje të zonës dhe më pas e ka të thjeshtë për ta dërguar në kuadratin e portës së Musso-s. Në fundin e fraksionit të parë, Eriksen ekzekutoi me mjeshtëri një goditje dënimi, teksa i ndihmua edhe nga një devijim, “sfera” shkoi në rrjetë.

Fraksioni i dytë ashtu si i pari ishte një dominim total i Interit, që shpërbleu tifozët e pranishëm në stadium. Hakimi fitoi një penallti, pasi pengohet brenda zonës, ndërkohë që nga pika e bardhë Lautaro Martinez nuk do të falte. Skuadra e Contes nuk kishte të ndalur me gola, pasi në minutën e 64-t, me një kundërsulm të shpejtë, Ivan Perisic e dërgon topin në cepin e portës atje ku portieri kundërshtar e kishte të pamundur për ta arritur.

Udinese është e shthurur totalisht në mbrojtje, aq sa në minutën e 71-të, Lukaku do të shënonte një gol aksidental, pasi topi u përplas në trupin e tij dhe më pas shkoi në rrjetë. Pak minuta më pas Udinese fiton një penallti, që do të kthehej në gol nga Pereyra. Interi në këtë mënyrë e mbyll sezonin me 91 pikë, të grumbulluara falë 28 fitoreve, 7 barazimeve dhe vetëm 3 humbjeve. Një ecuri fantastike, ku zikaltërit gjetën rrugën e rrjetës në 89 raste, ndërkohë që pësuan 35 gola. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP