Interi mund me “poker” Torinon, Roma shkatërron Parmën (VIDEO)

Interi vuan shumë në “San Siro” kundër Torinos, por arrin të dalë me pikë të plota. Skuadra e Contes mori një sukses 4-2 me shumë vuajtje, teksa në 45 minutat e para do të luanin shumë dobët duke mos rrezikuar asnjëherë portën e Sirigut. Në fundin e shtesës, Simone Zaza konkretizoi një aksion fantastik të ekipit “granata” duke realizuar me një goditje me të majtën.

Në fillimin e fraksionit të dytë Torino do të dyfishonte avantazhin. Në minutën e 60-të, Young shkakton një penallti pas një ndërhyrje të gabuar në zonë, që do të kthehej në gol nga Ansaldi. Reagimi i Interit është i furishëm, duke vendosur baraspeshën brenda 6 minutash lojë.

Sanchez do të shënonte në minutën e 63-të pas një rrëmujë në zonë, ndërkohë që 3 minuta më pas shënoi edhe të dytin me Lukakun. Sulmuesi belg ndërkohë do të merrte përsipër edhe një penallti në minutën e 84-t, duke e kthyer në gol. Në fundin e kohë së rregullt, do të shënonte emrin në listën e golashënuesve edhe Lautaro Martinez.

Roma vazhdon të dhurojë spektakël, duke triumfuar pastër 3-0 kundër Parmës. Mkhitaryan me dopietë dhe Borja Mayoral do të ishin autorët e golave për verdhekuqtë, që dinë të fitojnë edhe pa Kumbullën dhe Dzekon, të cilët janë ende të infektuar me Covid-19. Sassuolo vijon të dhurojë spektakël, teksa ka fituar 2-0 kundër Veronës, duke u ngjitur në kuotën e 18 pikëve. Boga dhe Berardi ishin autorët e golave për skuadrën e De Zerbit. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP