Interi parakalon Juven dhe Lazion për Kumbulla-n, ja strategjia e zikaltërve

Interi hidhet në sulm për Marash Kumbulla-n. Qendërmbrojtësi i kombëtares sonë, i cili aktivizohet te Hellas Verona në Seria A është në listën e dëshirave të disa skuadrave të njohura, por zikaltërit duket se po lëvizin më shpejt. Në janar është projektuar një tjetër takim mes palëve, teksa tashmë është sigluar edhe vlerat e kartonit të talentit, që shkon në 20 milionë euro. Një shifër e kënaqshme për klubin e vogël italian, që e mori nga akademia e klubit dhe tashmë sheh t’i rritet vlera në mënyrë të frikshme.

Nuk do të jetë aspak e thjeshtë pasi janë edhe disa skuadra të tjera si Juventus, Lazio dhe Atalanta që janë gati të konkurrojnë, ndërkohë që nuk mungojnë as skuadra angleze dhe franceze të interesuara. Interi kërkon që të lëvizje me shpejtësi duke shfrytëzuar edhe huazimin e lojtarit Eddie Salcedo. Verona kërkon edhe Dimarcon në forma huazimi për sezonin e ardhshëm duke kërkuar që t’i përfshijë në tratativa. Dëshira do të ishte e madhe që të huazohej sulmuesi Esposito, por tashmë do të jetë shumë e vështirë.

Image result for marash kumbulla

Për t’u rikthyer te Kumbulla, agjenti i lojtarit e ka pranuar se ka një interesim konkret nga ana e Interit. Nuk duhet harruar as Igli Tare, i cili mund të bëjë një lëvizje të papritur për të blinduar repartin e mbrojtjes, që në fakt po bën shumë mirë. Juventus ndërkohë prej kohësh ka shfaqur interes, por pa bërë ende ndonjë lëvizje konkrete, teksa për mbrojtësin shkodran do të ishte edhe një transferim i madh në karrierën e tij pasi do të kishte mundësinë për të luajtur me mbrojtës të një niveli shumë të lart.

Kumbulla është aktivizuar në 10 ndeshje këtë sezon në Seria A, duke arritur që të gjejë në një rast edhe rrugën e rrjetës në ndeshjen ndaj Sampdorias. Ka statistika mjaft të mira në rikuperimin e topit si në ajër ashtu edhe me këmbë, duke u cilësuar si një nga talentet më të spikatur në gjysmën e parë të sezonit në Seria A. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP