Interi piketon talentin e Genoas si zëvendësues të Dumfries
Brooke Norton-Cuffy, një nga zbulimet e këtij sezoni te Genoa, është emri në krye të listës së Interit për të zëvendësuar Denzel Dumfries. Dëmtimi i mbrojtësit holandez, i cili është detyruar t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale dhe do të mungojë rreth tre muaj, i ka detyruar zikaltërit të kërkojnë në merkato një zgjidhje të menjëhershme dhe gati për përdorim.
Opsioni i parë ishte Marco Palestra, një talent me perspektivë të madhe, por në pronësi të Atalantës. Megjithatë, raportet e ndërlikuara mes dy klubeve pas dështimit të transferimit të Lookman verën e kaluar kanë bërë që Interi të ndryshojë shpejt drejtim. Kështu, orientimi drejt anglezit të Genoas ka qenë një pasojë logjike dhe e shpejtë.
Norton-Cuffy është ndjekur nga afër edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit dhe ka bindur të gjithë drejtuesit zikaltër, përfshirë edhe trajnerin Cristian Chivu. Profili i tij konsiderohet ideal për krahun e djathtë. E vetmja pikë e madhe dyshimi mbetet çmimi: Genoa nuk është e gatshme ta lërë të largohet për më pak se 20 milionë euro, një investim i rëndësishëm për merkaton e janarit.
Brooke Norton-Cuffy është 21 vjeç (i lindur më 12 janar 2004) dhe është formuar në akademinë e Arsenalit. Ai shquhet për profilin e tij atletik dhe ofensiv, për shpejtësinë, aftësinë për të shtyrë në krah dhe intensitetin në duele. Në aspektin e lojës, ai shihet si një lloj “Dumfries 2.0”, ndoshta ende jo plotësisht i pjekur, por me karakteristika shumë të ngjashme.
Rrugëtimi i tij ka përfshirë eksperienca në futbollin profesionist anglez përmes huazimeve në Championship dhe League One, ku ka përmirësuar sidomos fazën mbrojtëse dhe vazhdimësinë e paraqitjeve. Mund të luajë si mbrojtës krahu në një mbrojtje me katër, por edhe si anësor i djathtë në skema me gjithë krahun.
KOHA JONË SONDAZH

