Interi projekton një sulm ëndrrash për sezonin e ardhshëm
Forma fantastike e Lukakut mund të jetë e pamjaftueshme për Interin e sezonit të ardhshëm, që me shumë mundësi do të humbasë Lautaro Martinezin. Sanchez nuk do të jetë më pjesë e zikaltërve pasi i përfundon huazim, ndërkohë që Esposito është shumë i ri për të garantuar sulmin e një ekipi që pretendon të rivalizojë Juventusin për titull.
Emri i fundit që është shfaqur në listën e dëshirave të klubit milanez është Driens Mertens. Sulmuesit të Napolit i përfundon kontrata në fund të këtij sezoni, ndaj dhe është në kërkim të një destinacioni të ri. Interi është gati që t’i ofrojë 5 milionë euro në sezon plus bonuse, ndërkohë që duhet mposhtur edhe konkurrenca e Chelsea-t që mund të ofrojë një shifër më të lartë për futbollistin belg.
Mertens mund të jetë partneri i duhur për Lukakun, por Conte kërkon që të ketë në dispozicion katër sulmues. Zëvendësuesi perfekt i Lautaros, është Timo Werner, një sulmues i aftë që të shënojë shumë gola në portën e kundërshtarëve. Klauzola e largimit të tij nga Leipzig varion nga 50 deri në 60 milionë euro, ndërkohë që edhe këtu nuk mungon konkurrenca, me Jurgen Klopp që synon ta ketë në dispozicion të Liverpooli.
Lukaku, Mertens, Werner dhe … Edinson Cavani. Pikërisht sulmuesi uruguaian është i treti në listën e dëshirave të ekipit zikaltër. Fakti që ky i fundit nuk ka ende kontakte për rinovimin e kontratës, mund të bëjë që ai të mendojë një rikthim të mundshëm në Seria A, atje ku më parë ka bërë paraqitje fantastike me fanellën e Napolit. Nëse “Matador” do të jetë një objektiv që nuk do të arrihet, atëherë mund të mendohet edhe për Dembele nga Lyon. Për sulmuesin e talentuar nuk do të jetë e thjeshtë, pasi Juventus dhe klubet e mëdha kanë gati mbi 40 milionë euro. /Rozalb Lika-Koha Jone/