Interi shkatërron Genoan dhe arratiset në krye të Seria A (VIDEO)

Interi hedh një tjetër hap drejt titullit kampion. Skuadra e Antonio Contes ka përfituar nga ndalesa e Juventusit duke marrë një fitore të thjeshtë 3-0 në sfidën e javës së 24-t kundër Genoas.

Sfida në “San Siro” nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për zikaltërit që gjetën golin pas vetëm 32 sekondash. Romelo Lukaku me një shpërthim të zakonshëm arrin që të shënojë me një goditje me të djathtën, e cila nuk arriti të frenohej nga Perin. Gardiani i Genoas u bë protagonist në vijimin e pjesës së parë duke shpëtuar disa herë portën e tij nga goli i dytë, veçanërisht Lautaro Martinez.

Në minutën e 69-të, Lukaku bëhet sërish protagonist duke shërbyer një asist për Darmian, i cili zëvendësoi mjaft mirë Hakimin, duke shënuar me një goditje të fortë. Ekipi i Ballardinit dorëzohet pas këtij goli, duke i dhënë edhe më shumë hapësira zikaltërve. Në minutën e 77-të, pas një aksioni të gjatë në zonë, me Lukakun që u ndal nga Perin, do të vinte dhe goli i shënuar nga Alexis Sanchez.

Me këtë fitore Interi mbetet në krye me 56 pikë, 7 më shumë se Milani dhe 10 më shumë se Juventusi. Në sfidat e ditës së sotme, Udinese fitoi minimalisht 1-0 ndaj Fiorentinës, me një gol të shënuar nga Nesterovskit. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP