Interi shkatërron Milanin në derbi dhe “arratiset” +4 në krye të Seria A VIDEO)
Interi merr një fitore spektakolare në derbin ndaj Milanit, duke u konfirmuar si favorite për titullin kampion. Skuadra e Contes triumfoi 3-0 në “San Siro”, një ndeshje të cilën e dominoi për pjesën më të madhe dhe ishte më e saktë në konkretizimin e rasteve.
Sfida do të niste mjaft mirë për zikaltërit. Në minutën e 5-të, Lukaku shërben një top fantastik në zonë për Lautaro Martinez, i cili e ka të thjeshtë për të shënuar me kokë. Milani përpiqet që të reagojë me Ibrahimovic, i cili në minutën e 15-të ndalet nga reflekset e shkëlqyera të Handanovic. Disa minuta më pas është Theo Hernandez që ju afrua golit me një goditje me të djathtën, e cila do të përfundonte ngjitur me shyllën. Në krahun tjetër edhe Interi rrezikon me Perisic dhe Lautaro Martinez që nuk konkretizuan shanset e tyre.
Milani futet me një ritëm më të mirë në fillimin e pjesës së dytë, por pa mundur që të konkretizonte rastet. Në krahun tjetër, Interi realizon edhe të dytin në minutën e 57-të, duke përfituar nga një kundërsulm që u shfrytëzua në mënyrën më të mirë nga Lautaro Martinez. Donnarumma disa minuta më pas detyrohet që të ndalë Lukakun, që u vendos përballë tij. Skuadra e Piolit është shumë në vështirësi, teksa një gjë të tillë e shfrytëzon më së miri Interi.
Në minutën e 66-të, Lukaku merr një top thuajse nga mesfusha dhe më pas arrin të bëjë shumë metra përpara derisa do të lëshonte një gjuajtje të fortë, e cila përfundoi në rrjetën e kuqezinjve. Gjatë festës së belgut nuk munguan edhe ironitë ndaj Ibrahimovic, i cili u zëvendësua 15 minuta nga fundi nga Castillejo. Interi në këtë mënyrë merr një fitore shumë të rëndësishme, duke ruajtur vendin e parë me 53 pikë, plotë 4 më shumë se Milani. /R.Lika-Koha Jone/