INTERVISTA/ Bruno Dita: Duam dy trofetë, me Kukësin ishim në një ditë “jo”

Skënderbeu pësoi një humbje befasuese të dielën në mbrëmje, duke mos arritur që të festonin titullin kampion përballë skuadrës që e humbën mes polemikave një sezon më parë. Skuadra korçare gjithsesi e ka çështje ditësh ngritjen e trofeut, ndërkohë që një ndër protagonistët kryesor të këtij sezoni mjaft të mirë në Kategorinë Superiore dhe në grupet e Europa League, Bruno Dita ka folur në një intervistë për “Koha Jonë”. Mesfushori i ardhur gjatë verës së kaluar e pranon se humbën një mundësi të mirë për të festuar trofeun para tifozerisë së tyre, ndërkohë që ka theksuar se ekipi është mjaft i qenë pavarësisht dënimit të rëndë nga UEFA. Një ndër dëshirat e Ditës është që ish-ekipi i tij, Teuta të mbetet në Superiore.

Kukësi arriti në fundjavë që t’u shtynte festën e titullit, si e shpjegoni këtë humbje?

Thjeshtë nuk ishim në ditën tonë më të mirë. Për një ekip ka edhe ditë “jo”, dhe për fat të keq, na qëlloi ne. Donim që atë ditë të festonim përpara tifozerisë sonë, por nuk arritëm.

UEFA ka dhënë një vendim të rëndë për Skënderbeun, a ka pasur ndikim të dukshëm edhe të ju apo shokët tuaj të ekipit gjatë kësaj periudhe?

Jo, nuk ka pasur asnjë ndikim. E kemi harruar atë pjesë, dhe jemi të përqendruar vetëm te fusha e lojës për të dhënë maksimumin.

Në nivelin personal si ka qenë ky sezon për ju te korçarët?

Besoj se ka qenë një sezon i mirë. Nuk kam pasur shumë minuta në dispozicion edhe për shkak të dëmtimeve. Gjithsesi në ato ndeshje që kam luajtur, kam treguar vlerat e mia.

Cila ka qenë ndeshja më e vështirë në këtë sezon?

Nuk do ta cilësoja asnjë të vështirë. Në fakt të gjitha skuadrat përballë nesh impenjohen për të dhënë 100 për qind.

Të shtunën luani ndaj Laçit, skuadër me të cilën do të përballeni në finalen e Kupës. Do të jetë si një provë gjenerale?

Do të jetë një ndeshje e vështirë, por besoj se do të dalim me tre pikë dhe do të hedhim edhe një hap më shumë drejt titullit kampion. Këtë vit synojmë që të marrim të dyja trofetë, Kupë dhe kampionat.

Ku do ju shohim sezonin e ardhshëm? A keni pasur oferta nga klube brenda apo jashtë vendit?

Jam futbollist i Skënderbeut edhe për një sezon tjetër minimumi. Do më pëlqente që të rrija gjatë në këtë skuadër.

Keni luajtur 3 sezone me ekipin e Teutës. Si ndiheni që ish-klubi juaj rrezikon shumë rënien nga kategoria?

Normalisht që më vjen keq, sepse kam luajtur tre vite të mira aty, por shpresoj që të shpëtojnë. Mbijetesa sa vjen po bëhet edhe më e vështirë.

Intervistoi: Rozalb Lika

SHKARKO APP