INTERVISTA/ Smajli: Gati të vesh sërish këpucët për të ndihmuar Vllazninë

Intervistoi: Rozalb Lika

Vllaznia po kalon një ndër momentet më të vështira të historisë së saj. Klubi kuqeblu do të festojë 100 vjetorin e krijimit në Kategorinë e Parë, pasi të martën në mbrëmje nuk mundi të evitonte rënien pavarësisht se mori një fitore të thellë në Korçë. Shkodra është tronditur nga ky lajm, teksa nuk kanë munguar reagimet e shumta nga sportdashësit, ndërkohë që më të ashpër kanë qenë ish-futbollistët që kanë mbrojtur këtë fanellë. Njëri prej tyre është edhe Dritan Smajli, i cili fillimisht ka reaguar me një status të ashpër në rrjetet sociale, ndërkohë që më pas ka dhënë dhe një intervistë për gazetën “Koha Jonë”. Ish-mbrojtësi i krahut të djathtë ka luajtur katër sezone fantastike me Vllazninë, nuk i kursen kritikat ndaj drejtuesve të Bashkisë, por edhe ndaj lojtarëve. Ai madje është i gatshëm që të veshë sërish këpucët për ta ndihmuar ekipin e zemrës.

Keni reaguar ashpër në rrjetet sociale pas rënies së Vllaznisë në Kategorinë e Parë. Si i keni përjetuar sfidat e javës së fundit?

Të them të drejtën kam qenë gjithë ditën në ankth dhe nuk kam parë asnjë ndeshje. Doja ta mësoja rezultatin e nëpërmjet dikujt tjetër dhe jo ta shikoja vetë, por kur e mora vesh, mërzia ishte shumë e madhe. Ishte e pabesueshme.

Cilët mendoni se janë fajtorët për gjendje që është krijuar?

Pa diskutim kryetarja e Bashkisë që është kryesorja, pasi nuk ia dha ekipin privatit, në radhë të dytë është stafi drejtues, dhe në fund përgjegjësia akoma më e madhe është te lojtarët, sepse sido që të shkojë puna, ata janë aktorët e fushës së lojës. Ata nuk duhet që ta dërgonin Vllazninë në këtë gjendje.

Trajneri Armando Cungu si dhe Rudi Vata kohë më parë e kishte paralajmëruar se te shkodranët ka gjëra që nuk shkojnë si duhet. Ju si një ish-futbollist jeni në dijeni se çfarë ka ndodhur në ambientin kuqeblu?

Unë kam qenë pjesë e Vllaznisë kur ka qenë profesion Rudi Vata, pasi në atë kohë ishim një ekip bashkie dhe pa diskutim që ka pasur probleme dhe t’iu them të drejtën, që në atë kohë nuk kishim këto kualitete që kishte Vllaznia e këtij sezoni, të paktën në letër. Ne jo vetëm që nuk duhet ta diskutonim mbijetesën, por duhet që të luanim në Kupat e Europës. Sapo u futëm në këtë garë, patëm sulme nga të katër anët dhe profesor Rudi i ka bërë të ditura se si u sulmuam që të mos kishim sukses. Për profesor Cungun di që ka pas ndërhyrje nga jashtë, dhe nuk e kanë lënë që të punojë, ndaj edhe e larguan.

Besoni se privatizimi i shpejtë i ekipit në fillim të sezonit të kaluar do ta kishte shmangur rënien?

Pa diskutim që po, dhe jo vetëm mbijetesën, por do të ishte edhe në katërshen e parë të renditjes. Këtë e them me bindje, pasi presidenti të qëndron te koka dhe të kritikon kur gjëra nuk shkojnë. Nuk të lë të tallesh me lekët e tij, dhe shumë gjëra të tjera që një kryetare bashkie nuk i bën dot.

A jeni i gatshëm që ta ndihmoni Vllazninë në sezonin e ardhshëm për t’u rikthyer sa më parë në Superiore?

Unë Vllazninë e ndihmojë kur dhe si të dojë, në 5 të mëngjesit, në 2 të natës, dhe jam i gatshëm të vesh edhe njëherë këpucët vetëm për hir të asaj fanelle dhe atyre tifozëve. E kam mbajtur veten në formë, dhe nuk e kam humbur formën fizike. Diçka të tillë e bëj vetëm për Vllazninë. /Koha Jonë/

SHKARKO APP