Inzaghi: Fitimi i Championsit jo obsesion, jam mirë tek Interi
Interi është vetëm një hap larg nga lavdia evropiane. Në finalen e madhe të Champions League, që do të zhvillohet nesër në mbrëmje në Allianz Arena të Mynihut, skuadra e Simone Inzaghit do të përballet me Paris Saint-Germain, në përpjekje për të fituar trofeun më prestigjioz në futboll për herë të katërt në histori.
Trajneri zikaltër, që zhcillon finalen e dytë brenda tre vitesh, shprehet i qetë dhe optimist: “Jam mirë, është një ndjesi e mrekullueshme. Të luash një finale është një ëndërr. Pas dy vitesh jemi sërish këtu”, tha ai për Sky Sport.
“Finalja e dy viteve më parë mund të na ndihmojë në përgatitje, për të mbërritur në mënyrën e duhur, por nuk duhet të bëhet një obsesion. Fitorja ndaj Bayernit në këtë stadium na ka dhënë besim edhe përballë Barcelonës.”
Inzaghi theksoi se çdo finale është një histori më vete: “Para dy vitesh, ndaj City-t, mendohej se nuk do të kishte ndeshje, por nuk ishte kështu. Meritomë më shumë atëherë.”
I pyetur pse Interi mund ta fitojë trofeun, ai u përgjigj: “Për rrugëtimin tonë, për gjithçka kemi sakrifikuar, për sa shumë e duam. Kemi fatin të punojmë në një klub të madh me djem të shkëlqyer. Kemi fituar dhe kemi humbur, por gjithmonë me përkushtim të madh.”
Sa i përket të ardhmes së tij, Inzaghi ishte i qartë: “Tani mendoj vetëm për këtë ndeshje. Jam mirë këtu, kam gjithçka që më nevojitet për të bërë mirë dhe për të marrë kënaqësi.”
Lidhur me formacionin, trajneri la të kuptohet se nëse Pavard do të jetë në formë, atëherë ai do të luajë.
KOHA JONË SONDAZH

