Inzaghi: Na mungon edhe një mbrojtës, më pas merkato quhet e mbyllur
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi ka folur në prag të sfidës së parë në kampionat për sezonin 2022/23 ndaj Lecces. Strategu i njohur konfirmoi se ekipit i mungon edhe një blerje në mbrojtje dhe më pas mund të cilësohet e mbyllur. Në lidhje me rivalët, ai theksoi se janë disa ekipe në garë për titull.
“Skuadra është ajo që kemi rënë dakord me shoqërinë. Mungon një mbrojtës qendre për të zëvendësuar Ranocchian, shoqëria po punon dhe mendoj se më pas nuk do të ketë më nevojë për këtë gjë se merkato në hyrje dhe në dalje do të konsiderohet e mbyllur.
Lukaku po bën mirë, ka qenë i ndalur për një vit. Jam shumë i lumtur për të, Dzekon, Lautaron dhe Correan. Kemi vendosur që të mbështetemi tek ata.
Merkato? Kemi risjellë Lukaku dhe kemi blerë lojtarë funksionalë si Mkhitaryan, Onana, Bellanova, Asllani që kanë kualitet. Rivalët janë përforcuar, por edhe ata e dinë që për të gjithë vitin Interi do të jetë në garë.
Tani kam më shumë qartësi. Kam një vit më shumë punë me skuadrën dhe lojtarët. Do të vazhdojmë me të njëjtin modul, por kemi lojtarë të rinj me të cilët ndihem mirë. Nesër do të startojë një kampionat i ri me shumë skuadra që luftojë për të fituar”, deklaroi Inzaghi.
KOHA JONË SONDAZH

