Ironia e fatit, sot për Shqipërinë vendos arbitri i Beogradit
Shqiptarët do të ngulen para ekranit sot në orën 18:00, me shpresën se Hungaria do të bëjë mrekullinë e madhe, duke fituar kundër Portugalisë.
Por përveç “armiqve” portugezë, në ekran do t’u shfaqet edhe një fytyrë aspak e pëlqyer gjatë dy viteve të fundit. Takimi i rëndësishëm do të drejtohet nga gjyqtari anglez Martin Atkinson.
Është gjyqtari i famshëm i takimit të 14 tetorit 2014 në Beograd, midis Serbisë e Shqipërisë, ndërprerë në minutën e 41-të pas sherrit masiv që pasoi futjen e banderolës po aq të famshme tani, Autochtonous.
Sigurisht që shqiptarët e kanë parë shumë herë gjyqtarin anglez që atëherë, në kompeticionet ndërkombëtare dhe në Angli, por tani duket më “i prekshëm”, pasi luan në një ndeshje që na lidh direkt.