Isak dy muaj jashtë fushave, reagon van de Ven: I dërgova mesazh, nuk ishte qëllimi ta dëmtoja!
Dëmtimi i rëndë i Alexander Isak vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në Premier League, duke shkaktuar polemika të forta për mënyrën e ndërhyrjes dhe pasojat e mëdha që kjo ngjarje sjell për Liverpoolin.
Sulmuesi suedez pësoi një frakturë në kyçin e këmbës, një goditje e rëndë për skuadrën dhe për vetë lojtarin, ndërsa episodi ka ndarë opinionin sportiv mes atyre që flasin për një aksident loje dhe atyre që kërkojnë më shumë përgjegjësi.
Në qendër të vëmendjes ka qenë Micky van de Ven, mbrojtësi i Tottenhamit, i cili ishte protagonist në ndërhyrjen që çoi në dëmtimin e Isak. Futbollisti holandez ka reaguar publikisht për herë të parë, duke sqaruar pozicionin e tij në një prononcim për Sky Sports.
“Nuk ishte aspak qëllimi im ta lëndoja apo ta dëmtoja,” ka deklaruar van de Ven. “Kam tentuar vetëm të bllokoj goditjen dhe besoj se ishte thjesht një rastësi mënyra se si këmba e tij mbeti e bllokuar mes këmbëve të mia.”
Mbrojtësi i Tottenhamit ka zbuluar gjithashtu se ka kontaktuar personalisht Isakun pas ndeshjes. “I dërgova një mesazh për t’i uruar shërim sa më të shpejtë. Shpresoj ta shoh shumë shpejt sërish në fushë. Alexander e vlerësoi gjestin dhe më është përgjigjur,” shtoi ai.
Ndërkohë, Isak pritet të qëndrojë për një kohë të gjatë jashtë fushave, ndërsa klubi dhe tifozët shpresojnë në një rikthim sa më të shpejtë të sulmuesit suedez.
KOHA JONË SONDAZH

