Ish fitues i Topit të Artë, Owen: Nuk fjeta një javë te Reali, qaja pafund!

Michael Owen është anglezi i fundit që ka fituar “Topin e Artë”. Ish-sulmuesi i talentuar ishte vetëm 22 vjeç kur la pas Raul dhe Kahn në vitin 2001. Tre vite më vonë erdhi transferimi nga Liverpool te Real Madrid, moment të cilin e përjetoi shumë.

“Nuk kam fjetur për një javë rresht kur u transferova te Reali. Dridhesha dhe qaja rrugës për në aeroport, nuk më vjen turp ta pranoj. Ti je i bindur se do të jesh gjatë gjithë jetës një lojtar i Liverpoolit, por më pas ulesh e mendon: ‘O Zot, është Real Madrid, do të pendohem përgjithmonë nëse i refuzoj’.

Ishte një mundësi për të provuar një kampionat ndryshe, për të shijuar një vend tjetër, një gjuhë dhe një kulturë tjetër. Po flasim për mundësinë për të veshur fanellën merengues dhe për të luajtur me emra si Zidane, Figo, Beckham dhe Roberto Carlos. Megjithatë, dy sekonda më vonë po mendoja: ‘Jo, dua të qëndroj në Liverpool për pjesën tjetër të jetës sime’.

Ndihesha mirë me veten time. Sapo kisha fituar ‘Topin e Artë’, kështu që nuk do të kisha shkuar atje duke menduar se të gjithë ishin më të mirë se unë. Në fakt mezi prisja të stërvitesha për t’u treguar të gjithëve se isha mjaftueshëm i mirë.

Kur shkon në një klub të ri, gjithmonë dëshiron të marrësh respektin e të gjithëve menjëherë. Respekti i tifozëve apo edhe i menaxherit mund të vijë më vonë. Por, unë doja të fitoja menjëherë respektin e shokëve të skuadrës”, kujton Owen.

 

SHKARKO APP