Ish-presidenti i Parmës akuza Rezart Taçit: Më tradhëtoi, më detyrohet 10 mln euro
Gjendja kaotike tek ekipi italian i Seria A, Parma ka vënë në presion Tomaso Girardin për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet, por ish-presidenti i klubit mbrohet dhe fajëson biznesmenin shqiptar, Rezart Taçi, i cili e bleu dhe e shiti ekipin pa kaluar as dy muaj. Sipas medieve italiane, Girardi thotë se emilianët kanë një borxh prej 88 milionë euro, jo 200 mln euro sa pretendohet nga mediat. – “Në futboll që një klub të ketë borxhe, është një normalitet. Parmës do t’i mjaftonte që t’i menaxhonte siç duhet të rinjtë Mauri e Cerri dhe Defrelin, që të mund të shlyejë gjysmën e borxhit. Ka klube edhe më të rëndësishme, të cilët janë më keq se sa ne”, tha ish-presidenti i Parmës, i cili akuzon edhe Rezart Taçin, biznesmenin shqiptar që i bleu aksionet në dhjetor dhe i shiti pak ditë më parë. “Taçi nuk më ka dhënë 10 mln euro të parashikuara në kontratë, por u kap me borxhet dhe në takimet që bëri me kryebashkiakun dhe sipërmarrës të tjerë, bëri vetëm premtime. Lëvizjet e para që kreu, më pëlqyen, pasi mori Rodriguezin, Varelën e Noçerinon dhe pastaj lojtarin e Shqipërisë (Andi Lila që e solli si kapiten, por që asnjëherë nuk e ka mbajtur shiritin e kapitenit në kombëtare)”. Piëkrisht me marrëveshjen që bëri me Rezart Taçin, Girardi mendon se ka bërë shumë gabim. “Nëse do të rivihesha në të njëjtën situatë, nuk do t’ia shisja klubin Taçit. E ndiej veten të tradhtuar. Kështu që e hodha në gjyq atë dhe i kërkoj dëmet për mospërmbushjen e kontratës”. Por Girardi edhe drejtuesit e rinj, duket se e kanë lënë të pakënaqur. – “Nuk arrij që të kuptoj se përse e çuan Paletën te Milani për vetëm 1 mln euro? Unë do ta shisja për të paktën 32 mln euro. Po Kasanos dhe Felipes pse iu zgjidh kontrata, pa i detyruar ata që të hiqnin dorë nga rroga?”. Mësohet se ish-presidenti i Parmës jeton i shoqëruar nga truproja, pasi ka marrë kërcënime dhe ofendime të shumta. “Kam gruan dhe një fëmijë për t’u kujdesur. Policët më survejojnë herë pas here, por për të qenë 100% i sigurtë paguaj edhe truproja. Kurrë nuk do të kthehem në botën e futbollit, as ndeshjet nuk i shikoj më”. Xhenoa-Parma nuk do të luhet, pasi lojtarët verdheblu kanë vendosur që të dielën në “Marassi” nuk do të zbresin në fushë, duke protestuar për mosmarrjen e rrogave. Kapiteni Alesandro Lukareli e bëri të ditur vendimin, i cili u aprovua nga Federata Italiane e Futbollit.
KOHA JONË SONDAZH

