Ish-trajneri i Romës ka mbetur i bllokuar në Kiev: Lutem që të mos bien bomba!

Paulo Fonseca, ish-trajneri i Romës dhe Shakhtar Donetsk, është gjithashtu i bllokuar në Kiev pas pushtimit të Ukrainës nga ushtria ruse.

“U zgjova në pesë të mëngjesit nga pesë shpërthime. Kisha planifikuar sot që të udhëtoja me avion, por tani është e pamundur të dal nga këtu, sepse aeroportet tashmë janë shkatërruar dhe hapësira ajrore është mbyllur.

Për momentin mund të largohesh nga Kievi vetëm në rrugë tokësore dhe të gjithë po përpiqen të arratisen në Lviv, një qytet afër Polonisë. Rrugët janë plotësisht të bllokuara, radhët janë të mëdha dhe nuk ka më benzinë. Thjesht duhet të lutemi që një bombë të mos bjerë pranë nesh”, tha strategu portugez.

Në qiellin e kryeqytetit ukrainas, shpjegon Fonseca, “ka disa avionë ushtarakë” dhe për këtë arsye frika është konstante.

“Kjo është dita më e keqe e jetës sime. Ka radhë të mëdha në supermarkete dhe njerëzit blejnë gjithçka. Nuk ka mbetur shumë. Tani është koha të presim dhe të shpresojmë për të qenë me fat”, u shpreh Fonseca. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP