“Ishe një mbeturinë”, mbrojtësi francez tregon prapaskenat me Mourinhon
Mbrojtësi francez, Kurt Zouma, ka zbuluar një prapaskenë interesante me Mourinhon, gjatë kohës kur dyshja ishin te Chelsea. Duke folur për RMC Sport mbi José Mourinho, Zouma mbrojti teknikun portugez nga kritikat se ai nuk u jep lojtarëve të rinj një shans: “Ai është dikush që e do fitoren. Ai përdor të gjitha mjetet e mundshme për ta arritur atë. Kam ardhur këtu 19 vjeç dhe ai më ka aktivizuar.
Unë kam qenë në gjendje të kem shanset e mia, kam luajtur ndeshjet e mia. Unë nuk e di se çfarë mendojnë njerëzit e tjerë, të gjithë kemi mendime të ndryshme, por nga ana ime, nuk jam dakord me idenë që Mourinho nuk u jep shans lojtarëve të rinj.
Nuk e mbaj mend se në cilën ndeshje po luanim, po humbnim 3-1, në transfertë. Të nesërmen, Mourinho më thërret, më çon në zyrën e tij dhe më pyet nëse jam mirë. Unë i thashë po, ai më pyeti nëse isha i sigurt. Unë i thashë po përsëri, ai u përgjigj: “Sepse ishe totalisht mbeturinë këtë fundjavë.”
Ashtu, drejtpërdrejt. Më tronditi, por më bëri që të dëshiroja të përgjigjesha menjëherë (në fushë). Mbaj mend që më lëndoi, se më preku. Por vërtet doja t’i tregoja se mund të reagoja në ndeshjen e radhës”, rrëfeu Zouma.