Ismajli: Fitorja ishte rezultat i rëndësishëm, mund të luaj dhe në të majtë!
Mbrojtësi i Torinos, Ardian Ismajli, ka folur në konferencë për shtyp pas përfundimit të ndeshjes së Serie A ndaj Sassuolos, e fituar nga granatët. Nga salla e shtypit në “Mapei Stadium” të Reggio Emilias, lojtari i Kombëtares shqiptare vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe momentin pozitiv që po kalon ekipi.
“E merituam fitoren. Në javën e fundit kemi marrë 6 pikë dhe nuk kemi pësuar asnjë gol, është një rezultat shumë i madh. Tani duhet të shikojmë përpara”, u shpreh Ismajli.
I pyetur për aktivizimin në krahun e majtë të mbrojtjes, ai theksoi se përshtatja nuk është problem. “Mund të luaj si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë. Vitin e kaluar te Empoli kam luajtur edhe qendër. Jemi kompaktë në prapavijë, por jo vetëm mbrojtja, e gjithë skuadra punon bashkë. Edhe pse kemi pësuar gola, kemi arritur shtatë ‘clean sheet’”.
Ismajli foli edhe për forcën e grupit dhe ndikimin e trajnerit Baroni, duke nënvizuar se me kalimin e kohës skuadra po kupton gjithnjë e më mirë kërkesat e tij. “Jemi bërë shumë të bashkuar dhe mendoj se mund të bëjmë gjëra të mëdha”, tha ai, duke shtuar se te Torino ndihet pjesë e një grupi ku të gjithë janë liderë dhe ku potenciali i skuadrës është i madh.
KOHA JONË SONDAZH

