Ismajli: Menduam se ishim Barcelona ndaj Milanit, Lukaku është shkatërrues!

Ardian Ismajli tregon emocionet e Serie A, përballjet me yje si Ibra dhe Lukaku. Në një intervistë të gjatë për “Cittadellaspezia“, mbrojtësi shqiptar rrëfehet për gjithçka. Që nga ëndrra për të luajtur në Serie A, përballja me emra të mëdhenj të futbollit, përshtatja te Spezia, ndikimi i Panuccit dhe Reja.

“Unë pashë të pesë ligat e mëdha europiane. E doja shumë Bundesligën, por si mbrojtës doja Serinë A. I thashë vetes: nëse mund ta arrish këtu, atëherë mund ta bësh kudo. Dhe tani dua të qëndroj me Spezia. Ndeshja me Milanin? Janë emocione që nuk mund të shpjegohen. Askush nuk do ta kishte pritur atë dhe mbase kjo ka qenë edhe forca jonë. Pjesa tjetër e ekipeve të vogla, ato të sapo promovuar që luftojnë për shpëtim, fillojnë nga premisa e përqendrimit në mbrojtje.

Ne jo, u bëjmë presion të madh kundërshtarëve tanë, duam ta mbajmë topin.  Ne mendojmë sikur të ishim Barcelona (qesh). Në të vërtetë, është diçka emocionuese kur gjithçka për të cilën paguan shpërblehet. Fitoret kundër Napolit dhe Romës ishin thelbësore për të na dhënë siguri. Kur e dini që keni luajtur mirë, por nuk fitoni, nuk është e njëjta gjë.

Panucci dhe Reja – “I falënderoj. Ata e dinë që jam një punëtor i palodhur, që jam një profesionist dhe dua të provoj veten si i tillë. Thjesht mendoj të bëj punën time, nuk shikoj gjëra të tjera. Të dy më ndihmuan jashtëzakonisht. Unë gjithmonë do t’i jem mirënjohës Panuccit, sepse është ai që më solli për herë të parë në ekipin kombëtar. E dini, nuk është si të punosh në një klub, ku ka vëzhgim të përditshëm për të treguar se çfarë lloj sportisti je. Ai më dha një shans dhe e kuptoi se sa i përkushtuar jam, që gjithmonë dua të provoj vlerën time në fushë. Edy Reja ka një përvojë të shkëlqyeshme, ai ka qenë trajner i klubeve të rëndësishme si Lazio, Atalanta dhe Napoli. Muajt e fundit ai po na bën të rritemi shumë, si individë dhe si kolektiv”.

Përballja me Lozano, Ibrahimoviç dhe Lukaku – “Të tre janë shumë të fortë dhe me karakteristika të ndryshme. Lozano është shumë i shpejtë, Ibrahimovic pëlqen të marrë topin midis këmbëve të tij, Lukaku në progresion është shkatërrues. Sidomos dy të fundit janë autoritativë si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Por nëse qëndroni të përqendruar, nëse e keni përgatitur veten si duhet, atëherë gjithmonë dini çfarë të bëni. Nëse e gjithë skuadra performon, siç ndodhi me Spezia, atëherë kjo ju ndihmon shumë”, deklaroi Ismajli.

 

SHKARKO APP