Itali-Izrael do të luhet sërish në Udine, por plasin polemikat
Pas Superkupës së ardhshme Europiane, Bluenergy Stadium në Udine do të jetë sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë për një ndeshje të rëndësishme të Kombëtares Italiane. Më 14 tetor, Italia do të përballet me Izraelin në një sfidë vendimtare për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Kjo përballje do të luhet pikërisht një vit pas ndeshjes së fundit mes dy kombëtareve, po në Udine, ku skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti në atë kohë fitoi me rezultatin 4-1 në kuadër të Nations League.
Vendimi për të zhvilluar sërish një ndeshje të tillë në Udine, veçanërisht duke pasur parasysh kompleksitetin logjistik dhe ndjeshmëritë politike që sjell përballja me Izraelin, ka shkaktuar disa polemika në nivel lokal. Kryetari i Bashkisë, Alberto Felice de Tomi, kishte shprehur më herët habinë: “Menduam se e kishim përmbushur detyrën tonë”, – u shpreh ai disa ditë më parë. Megjithatë, në konferencën e fundit për shtyp, i pranishëm së bashku me presidentin e FIGC, Gabriele Gravina, qëndrimi i tij ishte më i butë.
Nga ana tjetër, vetë Gravina komentoi debatet duke theksuar se FIGC nuk ka kompetenca për të përjashtuar ndonjë shtet nga garat ndërkombëtare. “Në marrëveshje me Ministrinë e Brendshme, kemi vendosur të rikthejmë Udinen për shkak të rezultateve pozitive të arritura në ndeshjen e mëparshme. Shpresojmë që këtë herë të ketë edhe më shumë tifozë që do të mbështesin kombëtaren tonë, pasi siguria ishte maksimale dhe organizimi i shkëlqyer”, u shpreh Gravina.
KOHA JONË SONDAZH

