Italia e Mancinit është përfekte, fiton me rezervat ndaj Uellsit (VIDEO)
Italia e mbyll në përfeksion fazën e grupeve në Kampionatin Evropian, duke fituar edhe sfidën e fundit 1-0 kundër Uellsit. Në “Olimpico”, trajneri Mancini bëri disa ndryshime në formacion, duke lënë disa nga yjet pushim dhe duke i dhënë më shumë shanse futbollistëve si Bernandeschi, Chiesa apo Belotti. Për të “Të Kaltrit” ndryshojnë vetëm emrat, pasi loja është e njëjtë, e rrjedhshme dhe me shumë aksione të rrezikshme. Sinjalin e parë e dha Federico Chiesa në minutën e 25-të, i cili nuk mundi ta shfrytëzonte. Italia do të gjente golin në minutën e 39-të, teksa pas një goditje dënimi të Verrati, pasi shkon në zonë, atje ku Pessina e devijon në fundin e rrjetës.
Uellsi e ka të vështirë që të organizohet sulmuese, duke vuajtur saktësinë dhe presionin e italianëve. Në të 53-tën, skuadra e Mancinit ju afrua edhe golit të dytë, teksa Bernardeschi gjeti shtyllën e djathtë pas një goditje dënimi. Ndeshja u bë edhe më e vështirë për uellsianët në minutën e 55-të, teksa Ampadu shkaktoi një faull të ashpër duke u ndëshkuar me karton të kuq. Italia shfrytëzoi avantazhin numerik duke rrezikuar me Belottin në minutën e 65-të, por sulmuesi do të ndalej nga portieri Ward.
Në minutën e 76-të, mbrojtja italiane harron Bale brenda zonës, teksa sulmuesi i njohur e dërgon topin shumë jashtë kuadratit të portierit Donnarumma. Mancini bën dhe disa zëvendësime duke rifreskuar disi formacionin, por pa kërkuar sforcime nga lojtarët e tij. Portieri Ward frenoi në disa raste ekipin e tij nga gola të sigurt të Chiesa-s, apo Belottit. Italia e mbyll me 9 pikë fazën e grupeve, me 7 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Një ecuri fantastike, që i bën “axurrët” si nja nga skuadrat favorite për të shkuar deri në finalen e 11 korrikut, që do të luhet në “Wembley”. /R.Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

