Iu përmend emri në dokumentet e Epstein, reagon avokati i Ribery: Janë fake news!
Emri i ish-futbollistit francez Franck Ribéry ka përfunduar në qendër të vëmendjes mediatike gjatë orëve të fundit, pas publikimit të disa dokumenteve që lidhen me hetimin ndaj Jeffrey Epstein. Megjithatë, nga rrethi i ish-lojtarit ka ardhur një përgënjeshtrim i prerë.
Avokati i Ribéry-t e ka cilësuar çështjen si “fake news”, duke mohuar kategorikisht çdo lidhje të klientit të tij me fakte apo kontekste gjyqësore. Sipas informacioneve të publikuara, emri i Ribéry-t do të përmendej gjashtë herë në dokumentet e bëra publike nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara, brenda deklaratave të atribuuara palëve të treta, ku përmenden episode dhune dhe lidhje të pretenduara me rrjete prostitucioni.
Megjithatë, theksohet qartë se ish-anësori i Bayern Munich, Marseille, Fiorentina dhe Salernitana nuk është nën hetim dhe nuk rezulton i përfshirë në asnjë procedurë gjyqësore.
Reagimi i përfaqësuesit ligjor ka qenë i ashpër, me paralajmërim për hapa konkretë: “Është një lajm i rremë. Do të ndërmarr të gjitha veprimet penale të nevojshme për të ndjekur përgjegjësit e këtyre lajmeve të pavërteta, që dëmtojnë dinjitetin e klientit tim dhe familjes së tij”, deklaroi avokati.

KOHA JONË SONDAZH

