Izolimi perfekt i Lukakut, zbulohet kush ishte “agjenti sekret” i belgut
Juventus mori një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Chelsea-t, edhe pse ishte me shumë mungesa. Trajneri Allegri me nje skemë perfekte, arriti që të vendoste në vështirësi të madhe kampionët e Europës dhe mbi të gjitha Romelu Lukakun. Sulmuesi belg ishte edhe kërcënimi kryesor për ekipin torinez.
Kundër bardhezinjve, Lukaku preku topin vetëm 28 herë, më pak ndodhi vetëm në sfidën e së shtues së kaluar kundër Manchester City-it. “Shkuan në Itali dhe lanë Ferrarin në garazh”, shkruhet në një shkrim të The Telegraph”.
Juventus i lejoi Chelsea-t që të mbante topin për pjesën më të madhe të ndeshjes duke ndërtuar një mur të vërtetë në prapavijë me De Ligt që bëri një punë perfekte, por edhe Bonucci që ishte i pagabueshëm. Gjithsesi strategu ng Livorno sakrifikoi një tjetër lojtar për të futur në kafaz belgun.
“Locatelli ishte shumë mirë në mbrojtjen ndaj Lukakut”, u shpreh Allegri pas ndeshjes. Një punë fantastike nga ish-lojtari i Sassuolos, i cili është përshtatur në mënyrë perfekte me skemat e trajnerit Allegri. /R.Lika-Koha Jone/