Janari i nxehtë i transferimeve: Yjet e futbollit me kontrata në skadencë
Janari pritet të jetë një periudhë tejet dinamike në tregun e transferimeve të futbollit, pasi një numër i madh yjesh botërorë do të hyjnë në vitin e fundit të kontratave të tyre. Kjo situatë i bën ata lojtarë të lirë për të negociuar me çdo skuadër tjetër duke filluar nga shkurti, duke krijuar mundësi të mëdha për klubet dhe pasiguri për ato aktuale. Ndër këta emra, ka si veteranë me eksperiencë si Robert Lewandowski dhe Karim Benzema, të cilët, pavarësisht moshës, vazhdojnë të jenë efikasë dhe të shënojnë rregullisht, ashtu edhe lojtarë të klasit botëror si Dusan Vlahovic, Mike Maignan dhe Dayot Upamecano, të cilët do të ishin një aset i vyer për çdo ekip.
Në krye të listës së lojtarëve me vlerë të lartë tregu, kontratat e të cilëve po skadojnë, qëndron qendërmbrojtësi i Liverpool-it, Ibrahima Konate, i vlerësuar me 60 milionë euro. Klubi anglez nuk ka arritur të gjejë një marrëveshje për rinovimin e kontratës me mbrojtësin francez. Pas Konate-s, në këtë listë renditet një tjetër qendërmbrojtës francez, Dayot Upamecano i Bayern Munich. Megjithatë, situata e tij është ndryshe, pasi Bayern-i po bën përpjekje maksimale për të siguruar një marrëveshje të re dhe për të shmangur humbjen e tij pa kompensim. Klubi gjerman ndodhet në një pozicion të vështirë, pasi edhe Serge Gnabry dhe Leon Goretzka janë në vitin e fundit të kontratave të tyre. Podiumi i lojtarëve më të shtrenjtë që mund të largohen falas plotësohet nga Marc Guehi i Crystal Palace, kartoni i të cilit vlerësohet me 45 milionë euro.
Janari pritet të jetë i nxehtë edhe për dy sulmues të rëndësishëm si Dusan Vlahovic dhe Robert Lewandowski. Sulmuesi i Juventus-it, Vlahovic, është në shënjestër të Milan-it, klubeve angleze dhe atyre jashtë Evropës. Megjithatë, një largim i tij në janar duket i vështirë për shkak të një dëmtimi serioz që ka pësuar. Drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” do të përqendrohen më shumë në rinovimin e kontratës së tij sesa në gjetjen e blerësve, duke pasur parasysh se kartoni i Vlahovic vlerësohet në treg me 35 milionë euro.
Për Robert Lewandowski-n, diskutimi është krejt tjetër. Pavarësisht formës së tij të mirë dhe numrave mbresëlënës, Barcelona nuk ka ndërmend t’i ofrojë një kontratë të re sulmuesit polak. Mbetet për t’u parë nëse Lewa do të zgjedhë milionat nga Amerika dhe Arabia Saudite, apo do të preferojë të qëndrojë në Evropë, ku klube si Milan-i janë të gatshëm ta përfshijnë në skuadrën e tyre.
Një emër tjetër kyç në treg është portieri i Milan-it, Mike Maignan. Francezi ka hyrë në vitin e fundit të kontratës dhe është larg arritjes së një marrëveshjeje për rinovim me drejtuesit e klubit. Interesi i jashtëzakonshëm për të në treg e bën edhe më të ndërlikuar gjetjen e një akordi me “Djajtë”.
KOHA JONË SONDAZH

