Japonia turpëron Gjermaninë, merr një fitore historike me përmbysje (VIDEO)

Pas Argjentinës, bie dhe Gjermania. Gjermanët e kanë nisur Kupën e Botës me një humbje shokuese 1-2 ndaj Japonisë, që përmbysi gjithçka me një lojë me “dy fytyra”. Në pjesën e parë ishte skuadra e Flick që do të dominonte në raste dhe në mbajtjen e topit.

Në minutën e 33-të, Gjermania fitoi një penallti pas një faulli të portierit japonez. Nga pika e bardhë Gundogan nuk fal duke shënuar golin e avantazhit. Në fundin e pjesës së parë, Havertz dyfishoi shifrat, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Në fillimin e pjesës së dytë Gundogan do të ndalej nga shtylla, ndërkohë që më pas Japonia ndryshoi tërësisht lojë duke qenë shumë e rrezikshme në portën e Neuer. Në harkun e 8 minutave, ekipi aziatik do të përmbyste shifrat.

Në minutën e 75-të pas një aksioni fantastik të japonezëve, Neuer bën një ndërhyrje vendimtare, por në kthimin e topit Doan e ka të thjeshtë për ta shtyrë në rrjetë. Ndërkohë në të 83-tën, lojtari më i mirë i Japonisë, Asano kontrollon në mënyrë të shkëlqyer një top dhe më pas e dërgon në fundin e rrjetës së Neuer.

Minutat e mbetura nuk do të ishin të mjaftueshme për Gjermaninë, qoftë për të shënuar golin e barazimit, duke e dalë e mundur, ashtu si 4 vite më parë kur u mund nga Meksika. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP