Jashari: Allegri trajner i madh, Milani për mua është magji!
Mesfushori i Milanit, Ardon Jashari, deklaron se më në fund është rikthyer plotësisht në formë pas një fillimi sezoni të vështirë për shkak të dëmtimit. Futbollisti zviceran, i transferuar gjatë verës për 36 milionë euro, humbi muajt e parë të kampionatit për shkak të një frakture në fibulë të pësuar në muajin gusht, por tashmë po rikthen gradualisht ritmin dhe besimin, siç u pa edhe në ndeshjet ndaj Como-s dhe Parma-s.
Në një intervistë ekskluzive për Sportmediaset, 23-vjeçari u shpreh se tani ndihet plotësisht gati për të dhënë kontributin e tij.
“Tani ndihem në 100% të formës dhe po punoj për të luajtur më shumë, në mënyrë që ta ndihmoj skuadrën të fitojë ndeshjet. Milani do të thotë shumë për mua. Kur më thanë se mund të vija në Milano, ishte një ëndërr e bërë realitet.
Pas një negociate të gjatë arrita të bashkohesha me këtë klub magjik. Është një ndjenjë fantastike të luash për këtë klub, çdo ditë dhe në çdo ndeshje. Mundohem ta shijoj këtë ndjenjë, të jap gjithçka në fushë dhe shpresoj të bëj çdo tifoz të lumtur, por edhe krenar për mua.
Arritja në Champions League është objektivi kryesor i këtij sezoni. Kur luan në atë kompeticion përjeton net magjike. Është diçka që duhet ta arrijmë të gjithë së bashku.
Trajneri është shumë i rëndësishëm për çdo futbollist. Për shkak të përvojës së tij, për atë që ka bërë në të kaluarën dhe për trofetë që ka fituar, mund vetëm ta dëgjosh, sepse ai e di saktësisht çfarë është futbolli italian dhe çfarë duhet për të fituar. Është një trajner i madh dhe çdo ditë shohim pasionin që ai vendos në punë.
Është e vërtetë, në të kaluarën kam ndjekur shumë futbollin italian, veçanërisht Andrea Pirlo dhe Roberto Baggio, por më kujtohet më shumë Pirlo dhe stili i tij i lojës.”
KOHA JONË SONDAZH

