Jashari kthehet në “mister” te Milani, zhgënjen në rolin e Modric
Ardon Jashari vazhdon të jetë një mister në shtëpinë e Milanit, edhe pas rikthimit të tij në fushë. Mesfushori shqiptaro-zviceran nuk ka bindur as në paraqitjen e radhës si titullar, duke lënë ende shumë pikëpyetje mbi rolin dhe ndikimin e tij real në skuadër.
Në ndeshjen e djeshme të zhvilluar në Riad, gjysmëfinale e Superkupës kundër Napolit, Jashari u hodh sërish nga minuta e parë nga Massimiliano Allegri. Trajneri kuqezi kishte vendosur të linte pushim Luka Modric, duke i besuar vendin në formacion një prej blerjeve më të shtrenjta të verës, e dyta për nga kostoja pas Nkunku. Një zgjedhje që, megjithatë, nuk dha efektin e pritur.
Jashari nuk ishte ndër më të dobëtit në fushë, por humbi dukshëm duelin në distancë me Stanislav Lobotka, i cili dominoi mesfushën. Modric u aktivizua vetëm në minutën e 75-të, në një moment kur ndeshja ishte tashmë e komprometuar për Milanin.
Transferimi i Jasharit nga Club Brugge u mbyll pas një negociate të gjatë verore, me një shifër prej 34 milionë eurosh plus 3 milionë bonuse, në ditët e para të gushtit. Jashari është rikthyer në dispozicion që në nëntor, por për momentin kalimi i tij në Milano ka kaluar pothuajse pa u vënë re.
KOHA JONË SONDAZH

