Jashari: Milani një ëndërr për mua, i dhashë fjalën Tares dhe Ibrahimovic …

Pas një tratative të gjatë dhe të vështirë, Ardon Jashari dhe Milani janë më në fund në të njëjtën anë të historisë. Mesfushori zviceran, i ardhur nga Club Brugge, ka debutuar tashmë në një miqësore, por gjithmonë ka pasur një dëshirë të qartë: të veshë fanellën kuqezi.

Në prezantimin zyrtar për mediat, Jashari u shpreh i emocionuar: “Të luash për këtë klub sjell një presion të madh dhe është normale që të jetë kështu. Do të punoj fort për të justifikuar besimin. Ndjesitë e mia për këtë klub janë të pabesueshme, është një ëndërr e realizuar për mua dhe për familjen time. Jam këtu prej pak ditësh, por kam marrë një mirëseardhje të ngrohtë nga të gjithë.”

Jashari tregoi se që në kontaktet e para me drejtorin Tare, e kishte të qartë se do të bënte gjithçka për t’u transferuar te Milani: “I dhashë fjalën Tares dhe Ibrahimoviçit. E dija që do të ishte një negociatë e vështirë sepse isha i rëndësishëm për Brugge dhe nuk do të më lironin lehtë, por unë nuk kisha asnjë dyshim për destinacionin tim.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Në Milanello, Jashari u prit nga trajneri Massimiliano Allegri: “Që në ditën e parë më dha përshtypjen e një ekuilibri perfekt mes profesionalizmit dhe harmonisë në dhomën e zhveshjes. Në fushë, të gjithë e dinë se rëndësi ka vetëm fitorja.”

Swiss Digital Mobile Reklama

Si tifoz i hershëm i Milanit, Jashari ka pasur gjithmonë një idhull të qartë: Andrea Pirlo. Ai tha se ka ndjekur me kujdes lojën e tij dhe ka një histori të ngjashme në karrierë, duke kaluar nga roli i trekuartistit në një pozicion më të tërhequr në mesfushë.

“Është e pabesueshme të luash me një lojtar me kaq shumë eksperiencë. Do të përpiqem të mësoj sa më shumë prej tij dhe të rritem.” /Koha Jonë/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?