Jemi Partizani i Madh dhe Zemërgjerë! Të kuqtë: Tiranës i plotësojmë “dëshirat”
Klubi i Partizanit, për kaosin që përfshiu ndeshjen e së shumëpritur derbi, Tirana – Partizani, njoftoi edhe mbi arsyet që arriti kompromis me rivalin historik të Tiranës, që kjo ndeshje të mos luhet nesër në Peqin, por më 12 mars në “Qemal Stafa”. – “Duke ndjekur me kujdes hap pas hapi zhvillimet e orëve të fundit, por edhe dëshirën e madhe të dy tifozerive për të qenë të shumtë prezent në këtë përballje historike, klubi vendos që kjo sfidë meriton denjësisht të luhet në stadiumin “Qemal Stafa”. Një vendim, i cili mendojmë se do të mirëpritet nga i gjithë opinioni sportiv, por sidomos nga tifozeritë respektive të cilat edhe përballjen e radhës do ta shndërrojnë në një festë të vërtet sportive.” Në këtë rast klubi Partizani, edhe pse këmbënguli që ndeshja të luhej në fundjavë jashtë kryeqytetit, madje të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro, u grumbulluan dhe më pas u shpërndanë para derbit, duket se është dorëzuar para presionit të tifozëve. Stadiumi i Peqinit mban vetëm 5 mijë tifozë, ndërsa numri i atyre që duan të shohin derbin konsiderohet tre herë më i lartë. “Me këtë vendim mbështet tifozeria e kuqe e cila kërkon të jetë sa më e shumtë në numër për të përkrahur skuadrën në përballjen ndaj rivalëve historik pas apelit që kjo e fundit bëri publik që derbi i kryeqytetit të mos luhet në stadiumin e Peqinit. Edhe në këtë rast klubi me zemërgjerësinë e tij tregon se është kundër penalizimit të tifozëve, gjë të cilën e pasqyroi edhe në derbin e fundit ku rezultoi faktor kryesor në hapjen e dyerve të stadiumit “Qemal Stafa” për tifozerinë e Tiranës edhe pse kjo e fundit vuante dënimin e Disiplinës dhe treguar se jemi Partizani i Madh,” – thuhet në deklaratën e Partizanit.
KOHA JONË SONDAZH

