Jetmir Sefa e pranon, rikthehet te Tirana për t’i kthyer “trofetë”
Jetmir Sefa bashkohet me Tiranën dhe premton një sezon që në fund, do të sigurojë medoemos trofe. Laçi kërkoi rikthimin e mesfushorit dhe të ish-kapitenit Erjon Vucaj nga Flamurtari, që Sefa të merrte lejen e kalimit, por nuk ia arriti, megjithatë Sefa rikthehet tek Tirana, skuadra ku ai nisi karrierën dhe që kishte nevojë në këto momente për një lojtar në rolin e tij. Jetmir Sefa rikthehet me dëshirë që të mund të fitojë trofetë e munguar. Bardheblutë nuk fitojnë më trofe, që prej largimit të tij, disa vite më parë. Por rikthimi i Sefës e gjen Tiranën këtë sezon ndryshe, edhe më të denjë për të arritur sukses, ndaj edhe mesfushori flet për përballjen e mesjavës ndaj Apolonisë, që do të jetë e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Në mungesë të një stadiumi, në kryeqytet, pasi “Qemal Stafa” dhe “Selman Stërmasi” janë në rikonstruksion, Tirana do të përballet me Apoloninë në Krujë, të mërkurën ora 14:00, me synimin për të siguruar kualifikimin që në këtë takim. – “Mendoj se të dy kompeticionet, kampionati dhe kupa kanë rëndësinë e tyre. Tirana i ka vlerësuar gjithnjë dhe i ka fituar ato disa herë. Prandaj, pas një kohe të gjatë besoj se mund t’i fitojmë këtë vit të dyja. Edhe kupa ka rëndësinë e saj dhe duam që para se të mendojmë për ndeshjen e radhës në kampionat, të bëjmë maksimumin ndaj Apolonisë për të avancuar më tej në kompeticionin e kupës,” – thekson Sefa, që e cilëson rikthimin në shtëpi, si një detyrim për tifozët e kësaj skuadre.
KOHA JONË SONDAZH

