Jeton në Itali, por do luajë kundër tyre të mërkurën. Asllani: Duam t’i lumturojmë tifozët

Kristjan Asllani, talenti i Interit, jeton përtej Adriatikut prej moshës 2-vjeçare dhe pret me padurim të sfidojë të kaltërit, me synimin që kuqezinjtë t’i dhurojnë kënaqësi tifozëve.

“Do jetë një ndeshje e veçantë, pasi prej moshës 2 vjeç jetoj në Itali. Kam shumë shokë atje. E dimë që do të jetë shumë ndeshje e vështirë me Italinë, por do të provojmë t’i lumturojmë tifozët. Besoj që kjo është Shqipëria më e fortë, synojmë të kënaqim të gjithë shqiptarët”, tha mesfushori kuqezi për mediat. Shqipëria luan me Italinë të mërkurën e 16 nëntorit, në Arenën Kombëtare.

Mesfushori Enis Çokaj foli për transferimin e tij te Panathinaikos në fund të merkatos dhe u ndal te emocionet që jep grumbullimi në Kombëtare, ku grupin e shikon të bashkuar në çdo rast që është pjesë e kuqezinjve.

“Kisha disa vite te Lokomotiva e Zagrebit, tani jam pjesë e një prej ekipeve më legjendare në Greqi. Shpresoj të marr minuta dhe të kthehem titullar te Panathinaikosi dhe Kombëtarja. Si e shikoni Kombëtaren? Komunikimi dhe marrëdhëniet me shokët e skuadrës janë shumë të mira, jemi si familje. Rezultatet janë çështje fati. Ndeshja me Italinë është e madhe, por të gjithë jemi gati, gjithmonë. Secili duhet të japë 100% në Kombëtare, ambientimi do edhe kohën e vet, por besoj se me kalimin e kohës do ambientohemi shumë mirë. Transferimi në Greqi? Pak e vështirë përshtatja, isha blerja e fundit e klubit, por me punë dhe stërvitje do të kthehem titullar i skuadrës”.

SHKARKO APP