Jo vetëm Alegri, Mançester Junajtid bën gati revolucionin e madh që në janar!

Mançester Junajtid po zien këto ditë në prag të superndeshjes së të dielës kundër Liverpulit në “Old Trafford”. Pakënaqësitë e tifozëve për shkak të vendit të 12-të në renditjen e Premier Ligës është e pranishme kudo dhe infermieria është plot. Dy të fundit që i janë shtuar listës së të dëmtuarve janë Pol Pogba dhe David de Gea, që nuk do të jenë të gatshëm ndaj kampionëve të Europës.

Por skuadra duket se është gati për një revolucion thelbësor, sikundër shkruan “Daily Mail”, blerjet në janar do të jenë gjashtë. Përparësi ka qendërsulmuesi. Pas largimit të Romelu Lukakut, emri i parë në listë është ai i Mario Manxukiç, që është dalje nga Juventusi. Alternativë është Musa Dembele i Lionit. Në mesfushë, Matiç është drejt largimit, ndërsa për të zënë vendin e tij mendohet për Xhejms Medizon të Lestërit dhe spanjollit Saul Nigez.

Por jo vetëm: në rast se Pogba do të orientohet drejt Real Madridit, këta të fundit do ishin të gatshëm që veç parave të çonin në ishull dhe Toni Krosin. Dëmtimet e vazhdueshme të Ljuk Shout dhe mosha e Eshli Jangut do t’i detyrojnë drejtuesit për alternativa në krahun e majtë. Në qendër të mbrojtjes pritet një përforcim që do t’i shtohet dyshes Lindelof dhe Meguajër, pasi Erik Bejli, i dëmtuar që në prill, dhe Fil Xhouns, nuk japin garanci.

SHKARKO APP