Jonuz: I kemi rregulluar problemet, Skënderbeu luan futboll të pastër
Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Skënderbeun, u shpreh se skuadra e tij do të zbresë në fushë vetëm për të marrë 3 pikë. Strategu maqedonas theksoi se ka rregulluar problemet e shfaqura në duelet e fundit.
“Ndeshja me Skënderbeun është shumë e rëndësishme për ne. Skuadra vjen pas një fitoreje 4-0 me Luftëtarin. Kam folur pas ndeshjes, duke kritikuar lojtarët dhe sigurisht që kemi punuar gjatë javës për të rregulluar problemet që kemi pasur. Këto ditë kemi patur pak probleme me fushën dhe pak shqetësime fizike, por besoj se nesër gjithçka do të jetë më mirë.
Adili nuk do të luajë, as Bardulla, por të gjithë të tjerët janë gati. Çfarë të them për Skënderbeun? Është një skuadër e mirë, që luan futboll të pastër. Ka sulmues të mirë dhe çdo herë luan me pasime. Jemi përballur dy herë me Skënderbeun dhe besoj që edhe këtë radhë do të zhvillojmë një ndeshje të mirë dhe do të marrim fitoren.
Renditja? Dua të flas pak për klasifikimin në Superiore. Më një fitore ndaj Skënderbeut, Vllaznia do të ngjitej në renditje, më pas kemi dy ndeshje të tjera shumë të rëndësishme. Nuk mendoj se për të shmangur vendin e tetë janë në garë vetë, Vllaznia dhe Skënderbeu, shoh edhe skuadra të tjera. Aty janë Laçi, Bylisi, Teuta…, dy-tri pikë nuk përbëjnë ndonjë diferencë të madhe.
Ne luajtëm shumë mirë në ndeshjen e fundit në Korçë dhe morën tri pikë shumë të rëndësishme jashtë. Skënderbeu është në të njëjtën pozitë siç ishte Vllaznia. Kampionati përfundon më 15 maj dhe gjithçka mund të ndodhë deri atëherë. Kemi një grup shumë të mirë dhe i kemi bërë analizat e humbjeve me Tiranën dhe Teutën. Besoj se këta lojtarë do të japin maksimumin kundër Skënderbeut”, deklaroi Jonuz.