Jonuz: Kam edhe 5 ditë kontratë me Vllazninë, largohem nëse situata nuk ndryshon!
Mirsad Jonuz nuk është i sigurt nëse do ta mbyllë ose jo sezonin në krye të Vllaznisë. Trajneri nga Maqedonia e Veriut ka folur për mediat në vendin e tij, duke sqaruar se kontrata e tij me klubin shkodran i skadon më 31 maj. Situata te Vllaznia ka qenë kaotike, portali maqedonas “sportmedia.mk” ka kontaktuar trajnerin, duke e pyetur lidhur me të ardhmen.
“Është e vërtetë që gjërat nuk janë ashtu si ne duam dhe në fakt duhet të jenë për një klub si Vllaznia. Ka probleme dhe po kërkohet një mënyrë mes palëve për të gjetur një kompromis. Nëse nuk zgjidhet gjë, është e lehtë për mua, sepse jam profesionist. Kontrata ime me Vllazninë zgjat edhe 5 ditë të tjera, pra deri më 31 maj.
Pas kësaj date unë jam i lirë, kështu që në rast se gjërat bëhen më mirë, do të mund të flisnim me klubin për zgjatjen e kontratës. Nëse situata nuk ndryshon, atëherë e dimë se çfarë do të ndodhë. Pas 31 majit unë nuk kam asnjë detyrim ndaj Vllaznisë”, është shprehur Jonuz.
Trajneri ndodhet në Shkodër, por nuk mund të stërvit ekipin, pasi duhet të qëndrojë në karantinë për një periudhë prej 14 ditësh.