Jonuz: Nuk e kemi frikë Tiranën, nëse fitojmë nuk do të kemi më probleme
Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz është shprehur se skuadra e tij është gati për të sfiduar Tiranën. Strategu maqedonas ka kërkuar mbështetje nga tifozët, por sipas tij pa hedhur sende në fushën e lojës.
“Pas barazimit me Bylisin, djemtë janë gati psikologjikisht për këtë ndeshje. Është shumë e rëndësishme kjo sfidë në shtëpi. Trepikëshi, nesër, do të kishte vlerën e gjashtë pikëve për ne. Pra, dueli me Tiranën është shumë i rëndësishëm. Nëse fitojmë nesër kundër Tiranës, për Vllazninë nuk do të ketë më probleme në të ardhmen. Duhet të japim maksimumin. Kundërshtari ka lojtarë me eksperiencë, ka 6-7 fitore radhazi, por nesër lojtarët e mi do t’i thonë ‘stop’.
A na tremb Tirana? Jo, nuk e kam frikë. Tani kam një skuadër kompakte, me lojtarë të mirë. Për mua është një start i mirë, ky i vitit 2020. Ne kemi luajtur ndeshje shumë të vështira përballë Laçit dhe Bylisit. Uroj dhe besoj që në këtë ndeshje (ndaj Tiranës) do të kemi edhe një arbitrim të mirë. Nesër lojtarët e mi duhet të jenë të përqendruar në maksimum, të mos kenë emocione, të mos jenë nervozë. Asnjë lloj frike përballë Tiranës, vetëm të japim maksimumin.
Më pëlqen që nesër të kemi sa më shumë tifozë në mbështetje të Vllaznisë. Kam një mesazh për të gjithë tifozët tanë: Mbështeteni Vllazninë, por pa hedhur shishe në stadium! Të godasësh me shishe në fushë nuk është mirë as për Vllazninë, as për lojtarët, as për ne si klub. Nuk kam probleme lëndimesh, të gjithë lojtarët janë të gatshëm. Në planet e mia kam 13 lojtarë, pavarësisht se 11 duhet të luajnë në fushë. Do të shoh sot dhe të vendos se cilët do të jenë ata të dy, që nuk do të ingranohen nga fillimi në lojë. Kjo nuk është e rëndësishme, sepse unë kam besim te të gjithë lojtarët. Janë të gjithë njësoj.
Taktika? Do të jetë e vështirë, si në fazën mbrojtëse, edhe atë sulmuese. Ne e kemi studiuar mirë Tiranën. Iu kam treguar lojtarëve të mi se cilat janë problemet taktike të kundërshtarit dhe ku duhet ta godasim. Parashikoj se lojtarët e mi të sulmit do të kenë raste të mira për nesër, do të shënojnë. Lojtarët që pëlqej te Tirana? Cale dhe Torasa. Ata janë lojtarë, mesfushorë shumë të mirë”, deklaroi strategu i shkodranëve.