Josa: Duhet të ndryshojmë mentalitetin, kundër Laçit mungon vetëm Ibraimi

Kukësi ndodhet në një pozicion që nuk e ndihmon aspak në objektivat e këtij sezoni. Trajneri i verilindorëve Mirel Josa është përpjekur të karikojë disi lojtarët e tij në prag të ndeshjes ndaj Laçit. Sipas tij kjo sfidë do të ngjasojë me atë ndaj Teutës, por synimi është fitorja.

“E vlerësojmë maksimalisht Laçin për atë që ka bërë deri më tani. Skuadra jonë dha njëfarë shkëndijë në Durrës pavarësisht se nuk fituam. U munduam të luajmë futboll të mirë si në sulm dhe në mbrojtje. Mungon Ibraimi, që është pezulluar me kartonë, pjesa tjetër është e gatshme.

Finalizimi? Nuk varet vetëm nga sulmuesit, por edhe nga mesfushorët, duhet të jemi më këmbëngulës në zonën e kundërshtarit. Laçi nuk luan ashpër, por luan fort futboll. Nga skuadra ime dua që të luajë mirë edhe kur nuk e ka topin në dispozicion.

Kush arrin më shpejt te topi, ka më shumë mundësi të fitojë ndeshjen. Vendi i tretë? Do mundohemi ndeshje pas ndeshje. Skuadra ka kapacitet, do vetëm ndryshim mentaliteti. Edhe në Durrës nuk shkuam për barazim. Në 10 minutat e fundit të dy skuadrat mund të fitonin, nuk ndodhi. Edhe në këtë ndeshje barazimi ndihmon skuadrat e tjera.”, u shpreh Josa.

SHKARKO APP