Josa: Synojmë të fitojmë në çdo ndeshje, vlerësim maksimal për Erzenin
Vllaznia do të luajë ndeshjen e parë të këtij sezoni kundër Erzenit në transfertë. Trajneri i kuqebluve, Mirel Josa, në një konferencë për shtyp e cilësoi sfidë të vështirë, edhe pse përballë do të ketë një ekip që vjen nga Kategoria e Parë.
“Duhet të shkojmë me mendimin për ta fituar ndeshjen. Dhe nuk ka rëndësi niveli i skuadrës me të cilën luajmë. Të gjitha ndeshjet që do të kemi në vazhdimësi duhet t’i vlerësojmë në maksimum. Duke i vlerësuar kundërshtarët në maksimum, atëherë vlerësojmë punën tonë.
Pa vlerësimin e kundërshtarëve, nuk mund të fitohet një ndeshje. Duhet të vlerësojmë maksimalisht këtë skuadër, që do të kërkojnë të tregojë synimet e veta në këtë kampionat.
Në Shqipëri, të paktën gjashtë skuadra deklarojnë se do të fitojnë kampionatin. Ju shembullin më të mirë e keni dy vite përpara me Vllazninë, që nuk është futur për të marrë titullin kampion, por erdhi puna që ishte 13 pikë para në kampionat dhe në fund e humbi titullin. Kështu që duhet të shohim shumë drejt se çfarë do të tregojmë në fushë dhe si mund t’i arrijmë objektivat. Objektivi i skuadrës është të fitojë çdo ndeshje.
Esat Mala? Është lojtarë për të cilin dhashë “ok”-in në klub për të biseduar me të. Klubi e gjeti akordin. Tani ndodhi problemi tjetër e letrat. Nuk besoj se do të jetë i gatshëm për nesër. Por edhe sikur të ishte i gatshëm, nuk do të luante për faktin që gjendja e tij nuk është e tillë. Por është lojtar që unë e kam kërkuar vetë. E di rendimentin e tij me skuadrat që ka luajtur”, deklaroi Josa.