Juventus e nis mbarë Championsin, Morata mund i vetëm Dinamo Kiev (VIDEO)
Juventus e nis me këmbën e mbarë edicionin e ri në Champions League. Kampionët e Italisë fituan me lehtësi 2-0 në transfertë ndaj Dinamo Kiev para 14 mijë tifozëve ukrainas, që i dhanë një ritëm tjetër kësaj sfide. Një ndeshje për t’u mbajtur mend për Alvaro Moratën, i cili shënoi dy gola, duke qenë vendimtar në mungesë të Cristiano Ronaldos. Pirlo la sërish në stol Dybala-n, duke i besuar që nga fillimi i ndeshjes Moratës në sulm, të mbështetur nga Cuadrado, Ramsey dhe Chiesa.
Skuadra torineze dominoi në 45 minutat e para, por pa mundur që të gjejë rrugën e rrjetës. Federico Chiesa dha sinjalin e parë në minutën e 12-të me një goditje të fortë me të majtën brenda zonës, por portieri Bushchan ishte në gatishmëri. Tri minuta më pas Chiellinit i erdhi shansi i artë pas një gabimi të portierit të skuadrës ukrainase, por italiani nuk e devijoi dot në kuadrat. Në të 19-n, ai u detyrua të dilte nga fusha për shkak të një dëmtimi, duke i lënë vendin Demiral. Me kalimin e minutave skuadra ukrainase fiton më shumë siguri, por rastet janë në krahun e italianëve. Dejan Kulusevski ju afrua një super goli me një goditje me finte brenda zonës, pas depërtimi të Ramsey nga krahu i majtë.
Juventusit i mjaftuan vetëm 52 sekonda për të zhbllokuar sfidën ndaj Dinamo Kiev në fillimin e pjesës së dytë. Pas një aksioni fantastik të Chiesa-s në krahun e djathtë, krijohet mundësia e artë për Moratën, i cili e ka të thjeshtë për ta dërguar “sferën” në kuadrat. Bardhezinjtë kërkojnë të mbyllin ndeshjen, teksa Pirlo hedh në fushë në minutën e 55-të edhe Dybala-n në vend të Kulusevskit. Dinamo shton presionin me kalimin e minutave duke vendosur disi në vështirësi ekipin italian, por pa mundur që të vendosë asnjëherë në vështirësi portierin Szczęsny.
Italianët ndërkohë godasin me kundërsulm 6 minuta nga fundi i ndeshjes. Cuadrado shërben mjaft mirë Moratën, i cili me një goditje fantastike me kokë e dërgon për herë të dytë në rrjetë. Deri në fund nuk do të ndryshonte asgjë, teksa kjo është fitorja e parë në transfertë për Pirlon që nga filli i sezonit. /R.Lika-Koha Jone/