Juventus fiton me vështirësi ndaj 3 shqiptarëve të Empolit (VIDEO)

Juventus arrin të marrë një fitore shumë të vështirë në transfertën ndaj Empolit. Skuadra e Allegrit fitoi në shifrat 3-2, teksa heroi ishte sërish Dusan Vlahovic me dy gola të shënuar. Nedim Bajrami, Ardjan Ismajli dhe Kristjan Asllani u hodhën në fushë që nga minuta e parë nga trajneri vendas duke bërë një paraqitje të kënaqshme.

Moise Kean zhbllokoi rezultatin në minutën e 32-të me një goditje me kokë, por Empoli do të kundërpërgjigjej me Zurkowskin 7 minuta më vonë. Juventus shkoi në dhomat e zhveshjes në avantazh, pasi Dusan Vlahovic do të realizonte në kohën shtesë të fraksionit të parë.

Në minutën e 66-të, bomberi serb shënoi dhe golin e dytë personal në këtë duel dhe të 20-tin sezonal në kampionat, duke qenë golashënuesi kryesor. La Mantia provoi të rikthente në lojë Empolin, por skuadra torineze rezistoi deri në fund. Juventus mbetet në vendin e katërt me 50 pikë. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP